Denoncimi erdhi nga një bankë e nivelit të dytë

Dy shtetas rumunë janë vënë në prangat e policisë shqiptare, pasi kanë tentuar të vjedhin para në bankomate me karta të klonuara. Rumunët e moshës 37 dhe 41 vjeç janë ndaluar në Qafë -Thanë pas denoncimit të një banke të nivelit të dytë se në bankomatin e saj ka patur ndërhyrje. Një tjetër person që shoqëronte autorët është proceduar në gjendje të lirë.

Sipas ekspertëve të krimit kibernetik, të arrestuarit përmes përdorimit të metodës “skimmer”, në vendin ku futet karta, instalonin një pajisje që kopjon të dhënat dhe më pas klonin karta banke për të realizuar vjedhjen.

Për ekspertët nuk ka vend për panik, por ata kanë disa këshilla për përdoruesit e kartave të bankave.

Kartat shqiptare janë të pajisura me çip dhe pothuajse është i pamundur klonimi i tyre. Në rast se një atm sulmohet fizikisht është projektuar në atë lloj mënyrë që të dalë jashtë funksionit, pra mos nxjerrë më para kesh. Duhet të tregohemi të kujdesshëm kur kryejme verpime në bankomat, nuk duhet të ekzpozojmë tek persona të tretë pinin e kartës. Një tjetër kujdes duhet të kemi edhe për përdorimin e kartës së bankës për blerjet online në internet.”

Në të kaluarën përvëç rumunëve janë ndaluar në vendin tonë edhe shtetas turq e bullgarë, që kanë realizuar vjedhje të bankomateve përmes klonimit të kartave të bankave. Tashmë të arrestuarit akuzohen për mashtrim kompjuterik.

Tv Klan