Katër persona, dy shqiptarë dhe një sirian e një maroken, janë arrestuar gjatë një aksioni të Policisë së Tiranës për goditjen e trafikut të klandestinëve.

Emigrantët e shtetësive të ndryshme, si sirianë, afganë, marokenë e irakenë, transportoheshin nga Korça pranë kufirit të gjelbër me Greqinë, drejt Tiranës.

Në kryeqytet, ata sistemoheshin nëpër dhoma me qira apo hotele në zonën e Laprakës. Prej këtej, klandestinët transportoheshin më pas me makina private drejt Malit të Zi, me destinacion përfundimtar vendet e Bashkimit Europian.

Nga hetimet e policisë është zbardhur edhe roli i të arrestuarve. Dy shtetasit e huaj, E.E. 22 vjeç nga Siria dhe A.I. 25 vjeç nga Maroku, kishin rolin e organizatorit duke u koordinuar me persona të tjerë të kombësisë siriane në Greqi dhe Siri, nëpërmjet aplikacioneve “Whatsapp”, “Messenger” etj. Ata koordinonin lëvizjen e emigrantëve nga Greqia për në Shqipëri përmes Korçës.

Më pas, për transportin e klandestinëve ishin përgjegjës dy shqiptarët e arrestuar K.D. 32 vjeç nga Kamza dhe A.M. 35 vjeç nga Tirana. Këta dy të fundit kishin gjithashtu përgjegjësinë edhe të tërheqjes së parave që transferoheshin përmes agjencive të transfertave.

Në kuadër të këtyre hetimeve janë proceduar në gjendje të lirë edhe tre turq, që akuzohen për kalim të paligjshëm të kufirit.

Materialet ju referuar Prokurorisë së Tiranës për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit dhe kalim i paligjshëm i kufirit i kryer në bashkëpunim. /tvklan.al