Dy persona përfunduan në prangat e autoriteteve në Shkodër, për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit. Të arrestuarit janë P. Rr., 35 vjeç dhe T. K., 32 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Sipas policisë, “arrestimi i tyre u bë pasi në afërsi të PKK Hani Hotit, shtetasi P. Rr. është kapur duke drejtuar pa leje mjetin e tij, me të cilin po transportonte 4 shtetas maroken drejt Malit të Zi, me destinacion vendet e BE-së”.

Gjithashtu te tregu i këpucëve në qendër të qytetit Shkodër, janë gjetur 8 shtetas të huaj pakistanez, të cilët pranuan se kishin rënë dakord me këtë shtetas që kundrejt vlerës 200 euro, t’i transportonte në Malin e Zi, në bashkëpunim me shtetasin T. K., i cili punon tek tregu”.

Këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se i fshihnin shtetasit e huaj në tregun ku punonte shtetasi T.K. dhe më pas i transportonin me mjete të ndryshme drejt Malit të Zi, nëpërmjet kufirit të gjelbër”, thotë policia në një njoftim për mediat.

Dy person të tjerë u proceduan në gjendje të lirë, për moskallëzim të krimit./tvklan.al