Forca e Posaçme Operacionale në DVP Vlorë bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për vendodhjen e një shtetasi në kërkim organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Over”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ndalimi i 43-vjeçarit me iniciale L.R.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 23.11.2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. 

43-vjeçari dyshohet se më datë 22.07.2021 ka qëlluar me armë zjarri në ajër në plazhin e Zvërnecit.

Materialet i kaluan Prokurorisë Vlorë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al