Policia e Lezhës ka finalizuar paraditen e sotme operacionin e koduar  “AKSI”. Në një njoftim për mediat, Policia bën me dije se ka sekuestruar 2 kilogramë heroinë dhe 2 armë zjarri, si dhe është arrestuar një 43-vjeçar G.D., poseduesi i tyre.

Bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas që po qarkullonte me mjet në aksin rrugor Shkodër-Lezhë dyshohej se po transportonte lëndë narkotike dhe armë zjarri, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar ‘AKSI’”, njofton Policia.

Mësohet se 43-vjeçari ka qenë duke lëvizur me automjetin e tij në fshatin Balldre dhe gjatë kontrollit, në bagazhin e modifikuar të këtij mjeti kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë me peshë 2 kg dhe 2 armë zjarri kallashnikov.

Në përfundim të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. D., 43 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”./tvklan.al