Arrestohen edhe 6 persona të tjerë

Shtatë persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës për vepra penale të ndryshme.

Në pranga ka rënë një 61-vjeçar me iniciale D.D.

Dyshohet se ai ka përndjekur, ka kryer veprime të turpshme dhe ka ngacmuar seksualisht një grua. Këto veprime të 61-vjeçarit dyshohet se kanë ndodhur në periudha të ndryshme kohore.

Ndër të tjera në pranga ka rënë edhe një 40-vjeçar. S.K. është arrestuar për shkak se është kapur në afërsi të një sipërfaqe të pyllëzuar në malin mbi Urën e Farkës të mbjellë me kanabis.

40-vjeçari është kapur duke punuar për hapjen e një grope që do të lidhte tubacionin e vaditjes së fidanëve.

Në pranga ka rënë edhe një 47-vjeçar i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje. Gjykata e Apelit të Tiranës e ka dënuar atë me 1 vit burg.

Një 24 vjeçar është arrestuar pasi ka thyer masën e sigurisë personale shtrënguese “Për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarve” dhe është konstatuar jashtë banesës.

Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. Sh., 42 vjeç, pasi në rrugën “Llazar Xhajanka”, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, në prezencë të fëmijës së tyre të mitur.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

•K. K., 21 vjeç, pasi në rrugën “Ali Shefqeti”, u kap në flagrancë duke drejtuar motoçikletën pa lejen përkatëse;

•R. Ll., 37 vjeç, pasi në rrugën “Dritan Hoxha” u kap në flagrancë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.54 mg/l.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al