Arrestohet Albert Zaja për vrasjen e Shkëlzen Kastratit



Arrestohet Albert Zaja për vrasjen e Shkëlzen Kastratit

19:55 21/03/2021

37-vjeçari u kap në shtëpinë e tij në Nikël

Një nga të dyshuarit për ekzekutimin e Shkëlzen Kastratit në 1 Shkurt në Fier, Albert Zaja është arrestuar në një operacion të policisë në Nikël të Fushë-Krujës.

Burime nga policia thanë se Zaja u kap brenda në shtëpinë e tij ne fshatin Larushkë të Niklës, ku iu gjet edhe një armë tip “Glock”.

Operacioni u zhvillua nga forcat RENEA, të cilat kanë ushtruar kontrolle në disa banesa e biznese, ku dyshohej se fshiheshin katër të shpallurit në kërkim për vrasjen e Kastratit, Elson Xheçuka, Albert Zaja, Elmir Tufa dhe Silvio Cara.

Policia tha se 37-vjeçari sapo ka parë se është rrethuar nga policia ka tentuar të fshehë mes baltës pistoletën dhe ka tentuar të largohet, por është kapur dhe prangosur.

Shkëlzen Kastrati u ekzekutua mëngjesin e 1 Shkurtit kur sapo kishte dalë nga shtëpia e tij për të takuar disa miq. Nga hetimet ka rezultuar se 4 persona morën pjesë në vrasje, 3 prej tyre lëviznin me makinën Range Rover dhe 1 tjetër që i priste pranë fshatit Baltëz të Fierit, për t’u larguar pas ngjarjes.

Sipas skemës së rindërtuar të ekzekutimit, makina e Shkëlzen Kastratit u ndoq nga automjeti Range Rover ku ndodheshin vrasësit. Pa u futur te rrethrrotullimi i Sheqit në Fier, makina e atentatorëve u fut në parakalim dhe nga aty u qëllua me breshëri me një kallashnikov me silenciator. Për shkak edhe të reshjeve të shiut, në zonë nuk u kuptua se çfarë ndodhi, ndërsa automjeti i 41-vjeçarit vazhdoi të lëvizte për inerci, derisa u përplas me një makinë tjetër.

Shkëlzen Kastrati u qëllua me breshëri, por plumbi që mori në kokë i shkaktoi vdekjen e menjëhershme.

Pas ngjarjes, makina Rang Rover rezulton se ka ikur me shpejtësi drejt Mbrostarit. Aty është kthyer për në Unazën Fier-Vlorë dhe te mbikalimi i Baltzës në rrugën dytësore ka ndaluar dhe autorët djegin automjetin. Dyshohet se në zonë i priste një tjetër bashkëpunëtor.

Tv Klan







Të ngjashme