Arrestohet vrasësi i Hekuran Billës



Arrestohet vrasësi i Hekuran Billës

18:44 19/06/2020

Viktor Marku u kap nga policia e Malit të Zi

Ka zgjatur vetëm 8 ditë arratia e personit që akuzohet për vrasjen e Hekuran Billës në Tiranë. Viktor Marku, vëllai i Prel Markut që u vra në 2006-ën në Angli nga Hekuran Billa u arrestua nga policia malazeze, pasi ishte shpallur në kërkim në vendin tonë.

34-vjeçari dyshohet se është larguar drejt Kosovës dhe më pas ka kaluar në Malin e Zi. Më herët policia arrestoi nipin e tij, 22-vjeçarin Sebastian Mali që dyshohet si bashkëpunëtor në krim. I riu tha se nuk po ruante 40-vjeçarin që i kishte vrarë dajën, por një vajzë aty pranë.

“Nuk kam lidhje me atë që ju më akuzoni. Shkoj shpesh në atë zonë se bëj pazarin. Atë natë po ruaja edhe një vajzë dhe as nuk e dija se ndodhi një vrasje. Ai më ka vrarë dajën, por nuk as që e njihja”.

Zbulimi i Sebastian Malit dhe dajës së tij Viktor Markut, është bërë nga kjo video, pranë zonës ku ndodhi vrasja.

Policia thotë se detyra e Sebastianit ishte të kontrollonte lëvizjet e Hekuran Billës, ndërsa daja i tij Viktor Marku u afrua në zonë për të bërë ekzekutimin.

Siç shihet nga filmimet e policisë, makina e Sebastian Malit ka ndaluar pranë vijave të bardha, vetëm pak metra larg vendit ku u vra Hekuran Billa. Mali qëndron me automjetin e ndezur, ndërkohë që makina tjetër vijon ta ndjekë derisa qëllon mbi Hekuran Billën rreth 30 herë.

Ndërkohë burime nga grupi hetimor, i thanë televizonit Klan se kanë ndaluar edhe dy persona të tjerë, që mendohet se kanë ndihmuar në vrasjen e 40-vjeçarit Hekuran Billa më 11 Qershor.

Tv Klan




Të ngjashme