Astrit Seferi u prangos nga RENEA në Mamurras 

Vihet në pranga Astrit Seferi, autor i një plagosje të 4-fishtë, të ndodhur në vitin 2017 në zonën e Laprakës në Tiranë. Ai u arrestua mbrëmjen e së martës në Mamurras në një operacion të forcave RENEA që zbritën në terren në një aksion të zhvilluar njëkohësisht në disa qytete të vendit.

36-vjeçari konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai ishte në kërkim për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim me të vëllain e tij. Vëllezërit Seferi hapën zjarr në lokalin ku qëndronte Eljon Leka me të cilin kishin pasur një konflikt dhe nga plumbat u plagosën edhe 3 persona të tjerë.

Operacioni blic i RENEA-s që kishte si qëllim goditjen e paligjshmërisë u shtri edhe në Durrës, Lezhë dhe Elbasan.

Nga kontrollet, RENEA arrestoi 2 persona ndërsa shoqëroi 21 persona me precedent penal për verifikime në komisariate. Në Durrës u arrestua 38-vjeçari Dashamir Tafili të cilit iu gjet një pistoletë në makinën “Range Rover” të parkuar para një lokali.

Pronari i lokalit u procedua penalisht në gjendje te lirë për organizim të lojërafve të fatit. Po në Durrës u arrestua një 24-vjeçar për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Tv Klan