Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Arrestohet banda e Lazaratit. Superoperacioni është realizuar nga komisariati i policisë së Gjirokastrës në bashkëpunim me Forcat Speciale të Tiranës. Gjithçka ka përfunduar sot në mesditë ku janë arrestuar shtatë persona nga fshati Lazarat të dyshuar për krijim bande.

Sipas burimeve të komisariatit të Gjirokastrës bëhet e ditur se mbi të ndaluarit rëndojnë një sërë akuzash ku më të rëndat cilësohen, rrëmbim pengjesh dhe grabitje në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë. Disa prej tyre ishin arrestuar më parë nga blutë e qytetit jugor por ishin liruar nga Prokuroria dhe Gjykata e Gjirokastrës për mungesë të një numri provash dhe papërgjegjshmërinë e organeve të lartpërmendura.

Operacioni i sotëm vlerësohet të jetë më i rëndësishmi i bluve të Gjirokastrës në dy muajt e fundit. Nëse drejtësia vlerëson se të akuzuarit kishin krijuar bandë të armatosur atëherë në më pak se tre muaj shkon në 33 numri i bandave të asgjesuara nga policia shqiptare./tvklan.al