Dhunoi arbitrin në ndeshjen me Teutën

Dhuna ndaj arbitrit të ndeshjes Teuta – Tirana, Jurgen Muho ka bërë që policia të reagojë menjëherë duke vënë në pranga basketbollistin e kryeqytetasve, Bruno Deliu.

Lojtari i bardhebluve goditi disa herë arbitrin 26-vjeçar dhe vetëm ndërhyrja e basketbollitëve të tjerë qetësoi situatën në ndeshjen e kampionatit që u zhvillua të shtunën në Durrës dhe që u fitua nga vendasit.

Por tani basketbollisti 34-vjeçar duhet të përballet me akuzën “goditje për shkak të detyrës gjatë një aktiviteti sportiv”, dhe sipas ndryshimeve më të fundit në Kodin penal rrezikon nga 1 deri në 5 vjet burgim siç parashikohet në nenin 274/a. Ndryshimet e fundit në Kodin Penal ashpërsuan ndëshkimet në raste dhune në ambientet sportive.

Dhuna është dënuar edhe nga Federata Shqiptare e Basketbollit që lajmëron se ditën e hënë do të shqyrtojë çështjen dhe do të marrë masat e nevojshme.

“Dhuna barbare e ushtruar nga njëri prej lojtarëve të Tiranës kundrejt njërit prej gjyqtarëve të takimit është krejtësisht e pa përligjur, e pa papranueshme dhe thellësisht e dënueshme”.

Sporti shqiptar është njollosur vazhdimisht nga situata të tilla. Rasti më i rëndë ishte sezonin e kaluar me sulmin ndaj arbitrit të futbollit Juxhin Xhaja që solli edhe përjashtimin e Kamzës nga Superliga.

Tv Klan