Një 47 – vjeçar është arrestuar nga Policia e Shkodrës si i dyshuar për vrasjen e gruas së tij, nënë e tre fëmijëve.

Sadedin Sula u vu në pranga për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në mobilerinë në pronësi të tij. Trupi i pajetë i viktimës është gjetur në tualetin e ndërtesës.

Policia dyshoi për ngjarjen për shkak të mungesës së provave bindëse në vendin, ku u gjet trupi i pajetë, çka shtoi dyshimet se ajo mund të jetë sjellë aty nga një vend tjetër.

Sipas burimeve policore, pasi kishte kryer krimin, Sula ka njoftuar policinë duke pretenduar se bashkëshortja kishte humbur jetën për shkaqe natyrale.

Më pas, ai ka ndryshuar dëshminë, duke deklaruar se bashkëshortja e tij mund të ketë vrarë veten.

Për shkak të dyshimeve, ekspertë të policisë kqyrën trupin e viktimës, ku u konstatuan shenja të shumta dhune.

Hetimet e mëtejshme vërtetuan se ajo kishte gjetur vdekjen nga asfiksia. Hetuesit provuan se gruaja ishte mbytur me duar dhe dyshimet bien mbi bashkëshortin.

Ai është arrestuar nën akuzën për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Hetimet pritet të zbardhin edhe motivet e krimit, por dyshohet se shkak është bërë konflikti si pasojë e xhelozisë dhe dyshimeve për tradhëti.

Tv Klan