Policia kosovare shoqëroi mëngjesin e të mërkurës Milaim Zekën. Urdhri për shoqërimin në komisariat u lëshua nga Prokuroria Themelore e Prishtinës. Prokurorët konfirmuan ndalimin për mediat kosovare pas një deklarate kërcënuese të Zeka në një emision televiziv ndaj prokurorit special Afrim Shefkiu, i cili ka drejtuar çështjen në të cilën deputeti akuzohet për mashtrim me vizat gjermane.

“Ma përpara ia kisha falë nëse ma kish vra njërin prej fëmijëve në afekt sesa kështu me ia shkatërru njerëzve ëndrrat. Mua më kanë poshtëruar. Unë do ta ndjek këtë prokurorin me gjyq, me kanun e edhe privatisht. Nuk ia fali kurrë poshtërimin.”

Prokurori Shefkiu nënshkroi urdhërarrestin e 16 Tetorit të vitit të kaluar për Zekën. Ai u vu nën hetim pas dyshimeve se kishte mashtruar 920 kosovarë, se do t’i siguronte viza punësimi në Gjermani… akuza të cilat vetë Zeka i ka hedhur poshtë. Sipas mediave, Zeka do të qëndrojë në polici për 48 orë, deri në dhënien e masës së sigurisë.

Tv Klan