Një italian ka përfunduar në pranga pak orë përpara dasmës së tij në Milano. Sëbashku me të u ndalua edhe një shqiptar, i cili do të ishte dëshmitar në ceremoninë martesore.

Të dy miqtë akuzohen se janë pjesë e një bande kriminale. Sipas asaj që shkruan e përditshmja italiane “La Repubblica”, në total në prangat e karabinierëve përfunduan 12 persona; 1 hungarez, 7 shqiptarë dhe 4 italianë. Ata dyshohen se merreshin me aktivitete të ndryshme kriminale, si grabitje, pastrim parash, armëmbajtje pa leje e deri tek dhuna ndaj një zyrtari publik.

Autoritetet ekzekutuan kështu urdhër arrestet e lëshuara nga gjykata e Pavias, në provincat e Milanos, Novarës dhe Pavias. Hetimet nisën nga monitorimi i garazheve dhe ofiçinave në Abbiategrasso, Zibido San Giacomo, Rosate e Bornasco, që përdoreshin nga grupi si baza logjistike për të fshehur mjetet e vjedhura.

Hetimet më të thelluara bënë që autoritetet italiane të arrinin të zbulonin se kjo bandë qëndronte pas pastrimit të parave me anë të pjesëve të 11 makinave të vjedhura. Ato çmontoheshin dhe futeshin në tregun e zi si pjesë këmbimi. Anëtarët e kësaj bande, emrat e të cilëve nuk janë bërë ende të ditur, qëndrojnë gjithashtu pas 25 grabitjeve në banesa.

/tvklan.al