Rrexhep Rraja, djali i deputetit socialist Rrahman Rraja është arrestuar nga policia. Gjykata e Krujës të shtunën caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë me kërkesë të prokurorisë. Pas këtij vendimi  policisë iu deshën disa orë që të ekzekutojë masën, mesditën e kësaj të diele. Prangosja e 24- vjeçarit është bërë në Rinas dhe mësohet se ai nuk ka bërë rezistencë.

I riu akuzohet për ushtrim dhune dhe përndjekje të ish-të dashurës së tij, 25-vjeçares Xhisiela Maloku. Kjo lëvizje e organit të akuzës vjen menjëherë pas marrjes së akt ekspertimit mjeko-ligjor i cili vërtetoi pretendimet e vajzës të bëra në padinë e parë. Sipas këtij akt ekspertimi Maloku ishte goditur me qytën e pistoletës në trup, si dhe ishte djegur me cigare nga Rraja.

Paraditen e së shtunës Prokuroria e Krujës vendosi të ballafaqojë Xhisiela Malokun me Rrexhep Rrajën, ku edhe është bërë një përgjim ambiental mes tyre, provë e cila është përdorur nga akuza në caktimin e masës së sigurisë.

Vajza dha shpjegime për më shumë se 3 orë në prokurori, në lidhje me kallëzimin e bërë ndaj ish-të dashurit dhe më pas tërheqjen prej tij. Prokuroria ka administruar edhe tabulatete telefonike të Malokut, për të parë komunikimet e saj me Rrajën.

Gjithashtu janë sekuestruar disa kamera sigurie në një hotel ku dyshohet se është ushtruar dhunë dhe djegur me cigare sipas dëshmisë fillestare të vajzës. Për këtë çështje vazhdojnë hetimet për dy oficeret Gentian Çitozi dhe Emiljano Nuhu që kanë marrë në pyetje Xhisiela Maloku. Ata po hetohen për akuzën “shpërdorim detyre”.

Tv Klan