Akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash

Arrestohet me urdhër të Gjykatës së Posaçme, Evis Berberi, drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar. SPAK ka ngritur ndaj tij dy akuza: korrupsioni pasiv dhe pastrim parash. Bashkë me të janë arrestuar dhe dy biznesmenët: Elvis Lami dhe Valter Begaj.

Evis Berberi u arrestua mbrëmjen e së mërkurës. Gjatë kontrollit të ushtruar më herët në banesë, iu sekuestruan paundë, euro dhe lekë, në total rreth 4 milionë lekë të reja dhe disa piktura të çmuara. Këto hetime kanë nisur nga vetë SPAK pa denoncim dhe drejtohen nga prokurori Dritan Prençi.

Në një njoftim zyrtar, Prokuroria thotë se i arrestuari Valter Begaj, administrator i kompanisë “Net Group SHPK”, përfitoi 3 tendera në kohën kur Berberi ishte Drejtor i Përgjithshëm për Efiçencën e Energjisë me vlerë totale 137.4 milionë lekë dhe 3 tendera të tjerë, me vlerë 101.8 milionë lekë, kur ai drejtonte ARRSH-n.

SPAK deklaron se Evis Berberi  ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëria “Net Group”, përfituese e prokurimeve publike, shuma të parregullta monetare nëpërmjet shoqërisë “Daam sh.p.k”, të kontrolluara prej tij.

Tenderat e përfituar lidhen me konsulenca projektesh që janë përfituar me çmim më të ulët, nga kompania në të cilën sipas hetimeve rezultoi që Berberi të ishte akoma pjesë.

Gjykata e Posaçme do të zhvillojë seancën për verifikim të masë së sigurimit brenda 48 orëve.

Klan News