Në kuadër të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e  korrupsionit, Njësia për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK), finalizuan me sukses operacionin policor “Bankomati”, si rezultat i të cilit u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve:

L. M., 56 vjeç, , banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i IKMT-së në qarkun e Dibrës.

E. E., 34 vjeç,  banues në Tiranë, adminstrator i një kompanie që operon në fushën minerare në qarkun Dibër.

Arrestimi i këtyre personave u bë pasi Lutfi Miftari 56 vjeç,  në cilësinë e Drejtorit të IKMT, në Qarkun e Dibrës, ka abuzuar me detyrën duke marrë ryshfet nga Eljo Elezi 34 vjeç adminstratori i kompanisë , shumën prej 50.000 lekë të rinj, për të mos filluar procedurën për shkeljen e konstatuar tek ky subjekt nga grupi i kontrollit për mungesën e dokumentacionit, si lejen mjedisore e dokumente të tjera.

Në cilësinë e provës materiale shtetasit Lutfi Miftari iu sekuestruan 50.000 lekë të rinj të cilat ja kishte dhënë 34-vjeçari Elezi.

Gjatë kontrollit të banesës së Miftarit, policia gjeti dhe sekuestroi  në cilësinë e provës materiale 29.500 Euro, 1300 Dollarë dhe 896.000 lekë të rinj.

Materialet proçeduriale i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. /tvklan.al