Është arrestuar nga Policia e Durrësit Gëzim Kajno, autori i një vrasjeje në 2016-ën. Mësohet se 39 vjeçari është dënuar me 10 vite heqje lirie, dënim nga i cili i kanë mbetur dhe 4 vite.
“Autor i një vrasjeje me armë zjarri, të kryer në vitin 2016, ndalohet 39-vjeçari i shpallur në kërkim, i dënuar me 10 vjet burgim. Nga ky dënim, 39-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet burgim. Në zbatim të planit të masave, të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, dhënë më datë 17.10.2023, për ndalimin e shtetasit Gëzim Kajno, 39 vjeç. Ai është dënuar me 10 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dënim nga i cili i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet. Më datë 01.03.2016, në lagjen nr. 17, Durrës, 39-vjeçari ka vrarë me armë zjarri, shtetasin A. K.. Shtetasi Gëzim Kajno iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për veprime të mëtejshme procedural”, thotë Policia në njoftimin zyrtar.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi në Mars të 2016-ës, ku viktimë mbeti Asllan Kërtusha 30 vjeç. Në atë kohë policia vuri në pranga Gëzim Kajnon dhe nipin e tij. Sipas bluve Kërtusha nën efektin e alkoolit, ka ngacmuar klientët në lokalin në pronësi të Gëzim Kajnos, i cili më pas i ka kërkuar atij të dalë nga lokali.

Ky ka qenë dhe momenti kur konflikti verbal ka degjeneruar në dhunë dhe në përdorimin e armës. Sherri mes tyre ka vazhduar në ambientet e jashtme, ku Gëzim Kajno ka goditur me qytën e pistoletës në kokë Asllan Kërtushën. Arma ka qenë e mbushur dhe ka bërë një shkrepje të pavullnetshme, ku për pasojë është plagosur në krah nipi i tij, Bledar Kajno. Më pas, Gëzim Kajno ka qëlluar Kërtushën, i cili nga plagët e marra, ndërroi jetë në Spitalin Rajonal të Durrësit.
/tvklan.al