Gruaja e bosit të drogës, Joaquín “El Chapo”, është arrestuar në SHBA nën dyshimin e trafikut të drogës, thonë autoritetet amerikane.

Emma Coronel Aispuro, 31 vjeç, u arrestua në Aeroportin Ndërkombëtar Dulles jashtë Uashington DC.

Ajo akuzohet për pjesëmarrje në një komplot për shpërndarjen e kokainës, metamfetaminës, heroinës dhe marihuanës.

Ndërkohë që “El Chapo”, aktualisht po vuan një dënim të përjetshëm në New York për trafik droge dhe pastrim parash. Për 63-vjeçarin zyrtarët thonë se ishte furnizuesi më i madh i drogës në SHBA, ish-kreu i kartelit Sinaloa. Gjyqi i tij, i mbajtur në vitin 2019 shfaqi zbulime tronditëse për jetën e tij, nga drogimi dhe përdhunimi i vajzave të moshës 13 vjeç deri te kryerja e vrasjeve me gjak të ftohtë të ish-anëtarëve të kartelit dhe rivalëve.

Ndërsa, gruaja e tij Coronel Aispuro do të paraqitet në një gjykatë federale në DC përmes video-konferencës, tha Departamenti i Drejtësisë në SHBA.

Ajo, përveç akuzave për trafik droge, akuzohet gjithashtu për komplot me të tjerët për të ndihmuar burrin e saj të arratisej nga burgu në Meksikë në 2015.

Dokumentet e gjykatës thanë se zonja Coronel Aispuro dyshohet se ishte e përfshirë në planifikimin e një arratisje tjetër nga burgu për burrin e saj para se ai të ekstradohej në SHBA në Janar 2017. Ajo ende nuk ka komentuar mbi akuzat. /tvklan.al