Një 47-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Durrësit, pasi akuzohet se ka vjedhur nëntë makina në qytetit bregdetart gjatë javëve të fundit.

Në një njoftim për mediat, autoritetet bëjnë me dije se 47-vjeçari A.Q., i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, ishte kthyer në ‘tmerrin’ e Durrësit pasi vidhte makina gjatë natës.

Më datë 29.09.2020, gjatë natës, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, ka thyer xhamin e automjetit tip “Benz”, në pronësi të shtetasit E. K., ku ka vjedhur disa sende personale. Gjithashtu ka vjedhur pasqyrat e një mjeti në pronësi të shtetasit M. M”, njofton Policia.

Po ashtu A.Q. dyshohet se është autor i 7 vjedhjeve të tjera të ndodhura gjatë muajit shtator në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës. Ai ka thyer xhamin e 7 makinave dhe ka marrë prej tyre navigator, pasqyra dhe sende personale.

47-vjeçari gjithashtu akuzohet se ka grabitur makinën e një institucioni shtetëror, prej së cilës ka marrë një palë çelësa. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan çelësa egzagonal që shërbenin për zbërthimin e navigatorëve dhe pasqyrave të mjeteve, pasqyrat e vjedhura të mjeteve dhe sende të tjera që shërbenin për kryerjen e vjedhjeve./tvklan.al