Policia e Tiranës ka arrestuar sot një 25-vjeçar, i cili është kapur me armë me vete.

Në një njoftim për mediat, policia njofton se  i riu është kapur tek “Liqeni i thatë”, gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, ku iu sekuestrua arma dhe municioni luftarak që kishte me vete.

Në pranga ka përfunduar  J. M., 25 vjeç, banues në Kamzë. “Në pikën e kontrollit të ngritur nga ana e “Shqiponjave”, në rrugën “Peti” tek “Liqeni i thatë”, u bë ndalimi i mjetit tip “Wolkswagen Golf” që drejtohej nga shtetasi J. M. Gjatë kontrollit të mjetit, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë që e mbante pa leje, me një krehër me 14 fishekë luftarak, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.

Materialet procedurale iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” dhe i riu, mund të dënohet deri në 7 vjet burgim./tvklan.al