Klodjan Troçi pjesë e grupit që falsifikonin dokumentet e pronave në Dhërmi e Himarë. Në banesë iu gjetën 60 mijë euro

Klodjan Troçi, ish-kreu i Kadastrës së Vlorës, i cili dha dorëheqjen disa ditë më parë, është arrestuar për falsifikim të dokumenteve të pronave në bregdet. Ai akuzohet si pjesë e grupit që falsifikonin dokumentet e pronave në Dhërmi dhe Himarë.

Më herët Gjykata e Vlorës ka lënë në arrest me burg drejtorin e Drejtorisë së Administrimit të Mbrojtjes së Tokës Bardhyl Gjika dhe detyrim paraqitje për specialistin Kreshnik Mino. Ndërkohë seanca për shtetasin tjetër që akuzohet si pjesë e falsifikimit Spiro Duni do të zhvillohet në ambientet e spitalit.

Ata dyshohet se në bashkëpunim kanë kryer falsifikimin e një numri të konsiderueshëm dokumentesh pronësorë gjatë  3 viteve, përkatësisht 2019-2021.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e Troçit, policia gjeti edhe një shumë parash prej 60 mijë eurosh. Troçi ka punuar për një periudhë gati tre mujore si drejtor në drejtorinë e pronave në Qarkun e Vlorës, ku më pas u zëvendësua nga Bardhyl Gjika.

Sipas bluve rezulton se këta persona kanë falsifikuar formularët e Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi, pra formularët e tapisë si dhe formularin për regjistrimin e një trualli në Dhërmi. 4 ditë më parë, një person i maskuar dhe i armatosur hyri zyrat e pronave të këshillit të qarkut Vlorë, duke marrë dy dosje për pronat në Dhërmi. Autori i kësaj grabitje nuk dihet ende, e po ashtu nuk ka informacione as për dosjet e grabitura.

Materialet procedurale, do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Vlorë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, e kryer në bashkëpunim.

Klan News