Autoritetet maqedonase arrestuan ish-ministrin e Transporteve Mile Janakieski dhe ish-Sekretarin e Përgjithshëm të qeverisë Kiril Bozhinovski. Dy ish-zyrtarët e qeverisë së Gruevskit janë nën hetim për aferën korruptive të njohur me emrin “Titanik”, ku nën hetim nga Prokuroria Speciale e Shkupit është edhe ish-Kryeministri Nikolla Gruevski.

Gjykata speciale e Shkupit caktoi 30 ditë paraburgim. Arrestimet u kryen në orën 05:00 të mëngjesit, pas urdhër-arrestit të kërkuar nga prokurorët të cilët thanë se kishin informacione se Janakieski dhe Bozhinovski po përgatiteshin të arratiseshin, nën shembullin e ish-Kryeministrit Nikolla Gruevski.

Në një deklaratë për mediat, Kryeministri Zoran Zaev kërkoi nga Hungaria ekstradimin e Gruevskit.

“Kemi lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar dhe kërkojmë nga Hungaria që Nikolla Gruevski të ekstradohet. Arratisja e tij tregon se ai ndihet fajtor për atë që është gjykuar”.

Krahas aferës korruptive 600 mijë Euroshe të Mercedesit, Gruevski rrezikon dënimin edhe për rastin ‘Titanik’, ku të akuzuarit dyshohen se kanë ushtruar presion e u kanë dhënë rryshfet votuesve në zgjedhjet lokale të 2012-ës në Maqedoni, me qëllim manipulimin e rezultatit.

Tv Klan