Cunami në Barcelonë! Kështu i referohen mediat sportive spanjolle ngjarjes së bujshme ditën e sotme ku autoritetet kanë vënë në pranga ish-presidentin e klubit katalanas, Josep Maria Bartomeu në lidhje me çështjen që tashmë po njihet gjerësisht si “Barçagate”. Bashkë me Bartomeun kanë rënë në pranga Drejtori Ekzekutiv, Oscar Grau; përgjegjësi për shërbimet ligjore, Romà Gómez Ponti dhe Jaume Masferrer, këshilltar i ish-presidentit.

Këta persona duhet të dëshmojnë në lidhje me rastin “Barçagate”, ku një grup partnerësh denoncuan Bordin e Drejtuesve të Barcelonës për administrim të grabuar dhe korrupsion. Këto akuza sipas burimeve të AS shkojnë më tej deri tek pastrimi i parave dhe shpërdorimi i fondeve.

Mësohet se të gjithë të arrestuarit kanë lidhje të ngushta me ish-Presidentin Josep Maria Bartomeu. Sipas asaj që shkruajnë mediat, skuadrat e policisë hynë në zyrat e klubit të Barcelonës për të sekuestruar dokumentet e nevojshme që do të shërbejnë në rastin “Barçagate”.

Rasti “Barçagate” është i njohur për punësimet që bëri Bartomeu me një kompani që krijoi llogari në rrjetet sociale për të prishur imazhet e ish-menaxherëve, ish-lojtarëve, por edhe lojtarëve që luajnë aktualisht me Barcelonën./tvklan.al