Një 61-vjeçar ka rënë në prangat e policisë sot në Durrës.

Arrestimi i kambistit F.M 61-vjeç u bë nga policia për akuzën e informalitetit, pasi fshihte të ardhurat nga veprimtaria në këmbimin valutor.

Mësohet se ai u kap duke punuar pa licencën përkatëse ndërsa iu sekuestruan rreth 2 milionë lekë të rinj dhe 15 mijë euro.

Njoftimi i policisë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, në vijim të kontrolleve, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ekonomike dhe vënien e autorëve të tyre, përpara përgjegjësisë ligjore, në vijim të operacionit policor të koduar “Informaliteti”, konstatuan dhe goditën një rast tjetër të fshehjes së të ardhurave dhe të informalitetit.

Si rezultat, u arrestua shtetasi F. M., 61 vjeç, banues në lagjen nr. 4, Durrës, për veprat penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, pasi u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në rrugë, duke ushtruar veprimtarinë si kambist, pa licencën përkatëse.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan rreth 2 000 000 lekë të rinj dhe 15 000 euro, që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme./tvklan.al