Për një video si kjo të postuar në Instagram, 18-vjeçarja iraniane Maede Hoxhabri është vënë në pranga nga autoritetet vendase. Arsyetimi është se ajo ka shkelur normat morale, duke postuar video nga kërcimet e saj provokuese.

Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se ajo është një prej tre  të arrestuarve ditët e fundit për shkelje të normave morale përmes postimit të videove të ngjashme në Instagram. Hetuesve, 18-vjeçarja u tha se nuk kishte për qëllim shkeljen e ligjeve. Ajo u lirua me kusht por tashmë nuk lejohet të japë intervista.

Profili i Hoxhabrit në këtë rrjet social ka rreth 16 mijë ndjekës. Ajo ka postuar 300 video dhe foto, ku krahas kërcimeve ajo shfaqet duke bërë tatuazhe por edhe me veshje të modës. Policia iraniane njoftoi se do të nisë mbylljen e profileve të ngjashme në Instagram, pasi përhapin degjenerim. Si zgjidhje, në republikën islamike po shihet edhe bllokimi i përdorimit të Instagramit, pasi tashmë janë bllokuar rrjete të tjera sociale si Facebook e Twitter, që pas protestave antiqeveritare të fillimit të këtij viti.

Tv Klan