Lideri i opozitës në Gjeorgji, Nika Melia, është arrestuar sot nga policia pasi akuzohet për nxitje të dhunës në protestat e vitit 2019.

Melia u arrestua në selinë e partisë së tij, ku pati përplasje të dhunshme mes mbështetësve të kreut të opozitës dhe policisë. Autoritetet përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Gjeorgjia është në krizë politike që pas zgjedhjeve parlamentare të Tetorit, pasi opozita akuzon partinë në pushtet për intimidim të votuesve dhe manipulime të rezultatit.

Arrestimi i liderit të opozitës ishte paralajmëruar pak ditë më parë, dhe për këtë shkak, dha dorëheqjen Kryeministrin me pretekstin për të mos përshkallëzuar klimën e rënduar.

Mirëpo, zv/Kryeministri Irakli Garibashvili që mori nga Parlamenti detyrën e kreut të qeverisë, u zotua se arrestimi i Nika Melia është një çështje që do të shkojë përpara, duke u shprehur se lideri i opozitës nuk do t’i fshihet drejtësisë.

Historia e Melia daton që në vitin 2019, kur në një protestë përpara Parlamentit gjeorgjian, pati përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë. Ai akuzohet për nxitje të dhunës në protesta. Javën e kaluar, një gjykatë urdhëroi arrestimin e tij pasi Melia kishte refuzuar të paguante garancinë monetare kundrejt lirimit me kusht.

Kreu i opozitës gjeorgjiane mohon akuzat dhe thotë se janë pjesë e goditjeve të vazhdueshme që po i bëhen opozitës. Nika Melia rrezikon deri në 9 vite burgim nëse dënohet. /tvklan.al