Trafikonte kanabis e kokainë drejt Gjermanisë

Ky është moment kur forcat e Fast Albania shoqërojnë me pranga në duar rusin Denis Borisov, një i shumëkërkuar nga Gjermania për trafik ndërkombëtar droge.

28-vjeçari prej ditësh qëndronte në Durrës dhe Interpol, në bashkëpunim me policinë vendore, pasi mori informacionet nga pala gjermane, bëri arrestimin e tij me qëllim ekstradimin.

Borisov ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi një gjykatë në Kempten në rajonin e Bavarisë kishte caktuar masën e sigurisë  “Arrest në burg” në mungesë, për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.

I riu ishte pjesë e një rrjeti të përbërë nga shqiptarë, spanjoll dhe gjermanë që trafikonin kanabis dhe kokainë nga Shqipëria dhe Spanja në drejtim të Gjermanisë, por edhe vendeve të tjera në Evropën qendrore.

I riu tashmë është në pritje të vendimit të Gjykatës së Durrësit për vlerësimin e masës së sigurisë që do i caktohet në pritje të procedurave të ekstradimit.

Tv Klan