Autori i dyshuar i vrasjes së Gjin Ndoj alias Gjin Boriçit në Shkodër më 9 Gusht të 2020-ës në Shkodër, Denis Brajoviç, është arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe. Brajoviç ishte shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit të koduar “Metamorfoza” pasi u vu nën akuzën e SPAK për vrasje. Policia e Shtetit njofton se uniformat blu kanë siguruar informacion se 36-vjeçari fshihej në Emiratet e Bashkuara.

Pas shkëmbimit të këtij informacioni me partnerët nëpërmjet koordinimit të zyrave të Interpolit, është bërë i mundur lokalizimi dhe vënia në pranga me qëlim ekstradimin në Shqipëri të Denis Brajoviç, 36-vjeçarit nga Shkodra. Vijon bashkëpunimi për të kryer ekstradimin e Brajoviç në Shqipëri.


Gjithashtu, i akuzuar për vrasjen e Gjin Ndoj alias Gjin Boriçit është edhe Behar Bajri, i cili u ekstradua nga Franca në Shqipëri në Nëntor të 2023-shit. Behar Bajri dhe Denis Bajroviç ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metamorfoza”, i zhvilluar në muajin Gusht të vitit të shkuar. Emrat e Behar Bajrit dhe Gjin Ndoj alias Gjin Boriçit dolën në bisedat e zbërthyera nga SPAK në aplikacionin Sky ku kishin komunikime për realizimin e ngjarjeve kriminale.

Në një lidhje direkte për Klan News, gazetarja Glidona Daci ka dhënë më shumë detaje rreth planit të vrasjes së Gjin Ndojit alias Gjin Boriçit në Shkodër.

“Denis Brajoviç për llogari të Behar Bajrit (sepse në atë kohë ai ishte miku i tij), ka kryer ekzekutimin e Gjin Ndojt alias Gjin Boriçit, ndërkohë që nga ana tjetër nga komunikimet e dala nga aplikacioni “Sky” rezultoi se ekzekutimin e Gjin Ndojt alias Gjin Boriçi e kërkonte Ervis Martinaj, ndërkohë që nga ana tjetër, Ervis Martinaj për llogari të biznesmenit Pëllumb Gjoka, do të ekzekutonte Kleant Musabelliun për shkak të një sherri të djemve të të dyve dhe më pas kishte rezultuar në një plagosje të Gjokës. Fillimisht, Ervis Martinaj kishte komunikuar me Pëllumb Gjokën për të bërë të mundur ekzekutimin e Gjin Boriçit. Nga informacionet e dosjes “Metamorfoza” rezultoi se fillimisht, Behar Bajri kishte tentuar që të rekrutonte vrasës me pagesë që do të vinin nga jashtë, por më pas kishte vendosur që krimi do të kryhej nga miku i tij, Denis Brajoviç. Pasi kanë lënë takim me Boriçin, kanë bërë planin për vrasjen e Gjin Ndojit alias Gjin Boriçit.”


Vrasja e Gjin Ndojit alias Gjin Boriçi

Gjin Ndoji alias Gjin Boriçi u ekzekutua me armë zjarri në Gusht të 2020-s, në Shkejzë të Vaut të Dejës.

Ndoji u gjet i pajetë gjatë orëve të mëngjesit, në rrugë, pranë makinës së tij të marrë me qira. Rreth një kilometër larg skenës së krimit, policia gjeti një makinë të djegur, që dyshohej se ishte përdorur nga autorët e krimit.

Në atë kohë, pista kryesore e ngritur nga autoritetet ishte ajo e hakmarrjes. 27-vjeçari ishte person me precedentë penale. Ai jetonte mes Shqipërisë, Holandës dhe Italisë.

Në foto: Gjin Ndoj alias Gjin Boriçi


Njoftimi i policisë:

Informacioni i siguruar nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe i shkëmbyer në kohë reale me partnerët në Emiratet e Bashkuara, mundëson lokalizimin dhe kapjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, në kuadër megaoperacionit “Metamorfoza”.

Finalizohet nga Policia në Emiratet e Bashkuara, operacioni policor i koduar “Rishtas”.

36-vjeçari i ndaluar, i akuzuar nga SPAK, për vrasje.

Në vijim të punës së pandërprerë, me objektiv lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, strukturat e Policisë së Shtetit kanë siguruar informacion se një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për vrasje, fshihej në Emiratet e Bashkuara.

Ky informacion i shkëmbyer menjëherë me partnerët, nëpërmjet koordinimit të zyrave të Interpolit, ka mundësuar finalizimin në Emiratet e Bashkuara, të operacionit policor të koduar “Rishtas”, gjatë të cilit u bënë të mundur lokalizimi, kapja dhe vënia në pranga, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, e shtetasit D. B., 36 vjeç, lindur në Shkodër.

Ky shtetas është i akuzuar nga SPAK, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metamorfoza”, pasi dyshohet si autor i vrasjes së shtetasit Gj. B. (N.), kryer më datë 09.08.2020, në Shkodër.

Vijon bashkëpunimi për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.


/tvklan.al