Është arrestuar në Fushë-Krujë i shumëkërkuari nga policia, Elmir Tufa. Sipas gazetares së Klan News Glidona Daci, Tufa është vënë në pranga nga Operacionalja e Tiranës.

Kujtojmë se 31 vjeçari është një nga 4 të akuzuarit për vrasjen e Shkëlzen Kastratit më 1 Shkurt të 2021-it në qytetin e Fierit. Tufa akuzohet nga Prokuroria e Fierit se sëbashku me Albert Zaja, Elson Xhecuka dhe Roland Carën kanë planifikuar, organizuar dhe ekzekutuar vrasjen e Shkëlzen Kastratit.

Për arrestimin e të riut ka reaguar dhe policia, e cila ka publikuar momentin e prangosjes së Tufës.


“Falë inteligjencës policore, Komisariati i Policisë Krujë në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, lokalizojnë, kapin dhe vënë në pranga një shtetas të shumëkërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore. I shpallur në kërkim për vrasje, kapet dhe vihet në pranga 31-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë në bashkëpunim me ato të Sektorit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimin, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shumëkërkuar nga Policia, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Lokalizimi”.   Si rezultat i këtij operacioni, në aksin rrugor Fushë Krujë-Vorë, ditën e sotme, është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi E. T., 31 vjeç, banues në Tiranë.  Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasje me paramendim”, pasi ka vrarë me armë zjarri shtetasin Sh. K. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njoftojnë blutë.


Si u ekzekutua Shkëlzen Kastrati?

Ishte ora 10 e 30 e mëngjesit të së hënës më 1 Shkurt të 2021-it kur Shkëlzen Kastrati u ekzekutua nga persona të panjohur në makinën e tij pranë fshatit Sheq të Fierit, në një atentat të mirëmenduar. Autorët duket se e kanë mbajtur nën vëzhgim 41-vjeçarin, pasi sapo viktima është futur në kthesë, ka ulur shpejtësinë e makinës tip “Benz”.

Në këtë moment nga një makinë tjetër tip “Range Rover” është qëlluar nga një armë Skorpion me sileciator me 2 plumba, të cilët njëri e ka kapur në kokë dhe tjetri në krah. Kastrati ka humbur jetën në vend.

Makina e tij ka lëvizur edhe për disa metra dhe është ndalur kur ka goditur një tjetër automjet që nuk kishte lidhje me ngjarjen. Trupi i viktimës ka qëndruar për gati një orë në automjet derisa ekspertiza ka marrë të gjitha të dhënat.

Pak minuta pas krimit të rëndë policia ka gjetur të djegur mjetin tip “Range Rover” pranë mbikalimit të Baltzës në fshatin Mbrostar të Fierit. Brenda në mjet është gjetur edhe një armë automatike me të cilën dyshohet se është qëlluar viktima. Shkëlzen Kastrati është vëllai i Klemend Kastrati, i cili më 8 Janar 2016 mbeti i plagosur në një atentat ku humbi jetën Denis Kasa dhe u plagos Elton Margariti. Ngjarja ndodhi në dalje të autostradës Lushnje-Fier. Objektiv i atentatit ishte Kelmend Kastrati, i cili mundi t’u shpëtojë plumbave.

-Në një intervistë me gazetarin Spartak Koka për emisionin “Uniko”  në Klan Plus, Elmir Tufa mohoi para 2 vitesh (më 2 Mars 2021) çdo përfshirje në këtë ngjarje. Ai u shpreh se ditën e atentatit, ka qenë në Krujë dhe për këtë pretendoi se ka fakte.

Më poshtë intervista e Elmir Tufës para 2 vitesh:

/tvklan.al