Ndihmoi Shallarin në vrasjen e Artan Cukut

Afro dy vjet pasi fotografia e tij iu shpërnda Interpolit, Kristaq Leci, i akuzuar si bashkëpunëtor në vrasjen e ish-shefit të policisë Artan Cuku, u vu në pranga.

30-vjeçari u arrestua të hënën nga autoritetet greke në Athinë, ku mendohej se fshihej që prej Qershorit të vitit 2017 bashkë Bledar Jambellin që ishte urdhërues i vrasjes.

Kristaq Leci dyshohet se ishte personi që përmes SMS-ve i tregonte Mikel Shallarit lëvizjet e Artan Cukut. Ishte vetë autori që i rrëfeu policisë emrin e bashkëpunëtorit të tij, i njohur ndryshe edhe si Gerti Kajo. 

Artan Cuku u ekzekutua më 8 Prill 2017 nga Mikel Shallari me urdhër të Bledar Jambellit. Ky i fundit ishte arrestuar në 2012-ën nga Cuku dhe për këtë ai kishte kërkuar ekzekutimin e ish-komisarit.

Jambelli u kap në Dhjetor të 2018 në Greqi por u la i lirë nga Gjykata e Lartë greke, e cila refuzoi ekstradimin me argumentin se në Shqipëri i rrezikohej jeta. I njëjti skenar mund të ndodhë edhe me Kristian Lecin.

Për vrasjen e Artan Cukut, Jambelli i kishte premtuar Mikel Shallarit 20 mijë Euro, nga të cilat 4 mijë i kishte marrë në dorë.

Tv Klan

(Foto: Njoftimi i policisë greke)