Laert Haxhiu 31 vjeç, një nga personat më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, u arrestua në Janinë me qëllim ekstradimin në Shqipëri.

Haxhiu qarkullonte në Greqi me një leje qëndrimi të falsifikuar në identitetin e një shtetasi gjeorgjian, Mikis Askalidis 32 vjeç, dhe u ndalua pas shkëmbimit të informacioneve me palën shqiptare.

Ai ishte në kërkim që prej vitit 2017, kohë kur u dënua fillimisht nga Gjykata e Lushnjës me 18 vjet burgim për akuzën e vrasjes së mbetu në tentativë, si autor i një ngjarje në 2016 ku mbetën të plagosur dy persona.

Gjithashtu Laert Haxhiu, u shpall në kërkim si njeriu kryesor në atentatin ku mbetën të vrarë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha, si dhe u plagos Marjus Xhepexhiu në Tetor të 2017 në Lushnjë.

Për këtë ngjarje, janë dënuar me burg perjetë, me vendim të formës së prerë në Shqipëri Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi, teksa Gjykata e Posaçme vijon gjykimin në mungesë të Laert Haxhiut që prej disa muajsh.

Sipas SPAK, dy viktimat në atentatin e Tetorit 2017 njiheshin si lidhje e Xhulio Shkurtit, nipit të Aldo Bares, dhe SPAK thotë se Shkurti ka qenë edhe objektiv i atentatit, ndërsa zanafilla e hakmarrjes lidhet me konfliktet  e vjetra të ‘Bandës së Lushnjës’.

Laert Haxhiu gjithashtu rezulton person i përfshirë edhe në çështje të trafikut drogës në Shqipëri dhe i dënuar nga Gjykata e Durrësit.

Tv Klan