Arrestohet në Holandë “El Chapo i Azisë”



Arrestohet në Holandë “El Chapo i Azisë”

19:40 24/01/2021

Tse Chi Lop kërkohej prej një dekade nga Australia

Policia holandeze i ka vënë prangat kreut të një prej bandave më të mëdha në botë të drogës. Ai është Tse Chi Lop, një 56-vjeçar i lindur në Kinë me shtetësi kanadeze, i konsideruar si El Chapo i Azisë.

Chi Lop u arrestua në aeroportin e Amsterdamit pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar që prej 2019-ës nga autoritetet australiane. Në Australi, ai akuzohet si përgjegjës për futjen e 70% të barnave kontrabandë që hyjnë në këtë vend. Policia australiane thuhet se e ka ndjekur Chi Lop-in për më shumë se një dekadë. Ai u arrestua teksa ishte nisur drejt Kanadasë.

Chi Lop dominon në tregun e paligjshëm të lëndëve narkotike në gjithë Azinë dhe përllogaritet të ketë gjeneruar rreth 70 miliardë dollarë në vit prej aktiviteteve ilegale në këtë fushë. Nga hetimet e disa vendeve, organizata e tij dyshohet se ka përfituar 17 miliardë dollarë gjatë 2018-ës vetëm nga shitja e Metamfetaminës. Në operacionin për kapjen e tij u angazhuan policitë e 20 vendeve të botës.

Tv Klan







Të ngjashme