Ky që shihni në foto është Eljo Bitri, 35-vjeçari nga Elbasani që u arrestua këtë të martë në Holandë pasi ndaj tij Gjykata e Posaçme kishte lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar në kuadër të operacionit ‘Plumbi i Artë’.

I njohur dhe me emrin Bledar Debrova, ai u prangos në Leiden të Holandës, duke qarkulluar me armë zjarri pistoletë me silenciator dhe me dokument me identitet tjetër. Krahas urdhër-arrestit nga autoritetet shqiptare, 35-vjeçari rezultoi në kërkim dhe për llogari të Belgjikës, pasi akuzohet për vrasje me paramendim.

Emri i Eljo ose Ervis Bitrit doli në dëshmitë e dhëna nga i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, që e implikoi 35-vjeçarin në disa ngjarje të rënda kriminale.

Në deklarimet e provuara nga SPAK, Bitri rezulton pjesmarrës në të paktën 7 ngjarje të bujshme.

Në dëshminë e dhënë nga Dumani, Eljo Bitri rezulton i përfshirë në vrasjen e dyfishtë në 2 Mars të 2020, kur në Durrës u ekzekutuan Dorjan Shkoza e Anxhelo Avdiaj.

Hetimet e prokurorisë bazuar në thëniet e të penduarit të drejtësisë e implikuan 35-vjeçarin dhe në një tjetër vrasje, atë të Korrikut të 2020 në afërsi të rrethrrotullimit të luleve në Elbasan ku u ekzekutua, Emiljano Ramazani.

Krahas vrasjeve, Bitri akuzohet si i përfshirë dhe në disa ngjarrje me tritol, një prej të cilave në Nëntor të 2020 kur një sasi eksplozivi iu vendos banesës së Talo Çelës.

Gjithashtu emri i Bitrit është përmendur nga Dumani si pjesëmarrës dhe në organizimin e kushteve për finalizimin e vrasjes së Sokol Sanxhaktarit, ngjarje kjo e cila nuk u finalizua.

Në të gjitha këto ngjarje, ndërlidhës ishte Nuredin Dumani i cili së bashku me Henrik Hoxhajn kishin kontaktuar disa herë 35-vjeçarin Eljo Bitri kundrejt pagesave të majme.

Tv Klan