Albert Veliu, skafisti i njohur ndryshe si “Babalja”, u arrestua nga Policia e Kosovës në Qendrën e Azil-kërkuesve në Prishtinë. Ai është prangosur për llogari të autoriteteve shqiptare pas një urdhër-arresti të lëshuar nga Prokuroria për Krimet e Rënda. Të shtunën Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë arrest me burg në mungesë  për 51-vjeçarin.

Mbi të rëndojnë akuzat e kallëzimit të rremë e kryer ne bashkëpunim dhe kalim i paligjshëm i kufirit. Policia e Kosovës konfirmoi arrestimin duke sqaruar se po ndiqen procedura ligjore. Autoritetet shqiptare kanë kërkuar ekstradimin, por pritet të sqarohet çfare do të ndodhë pasi Veliu ka kërkuar azil politik në Kosovë.

Ndërsa në Tiranë këtë të enjte është pyetur në Prokurori Fredi Alizoti. Ai u tha prokurorëve se në video-përgjimin e publikuar nga Partia Demokratike kishte gënjyer. Për më shumë se 3 orë në Prokurorinë e Krimeve te Rënda, Alizoti konfirmoi deklarimet se ishte ai që luajti rolin e Agron Xhafajt në audio-përgjim dhe se nuk ishte sjellë në Tiranë nga Drejtori i Policisë Ardi Veliu, por nga policët e Fierit.

Alizoti ka hedhur poshtë në këtë mënyrë të gjitha fjalët që ka thënë në bisedën e përgjuar, që u publikua nga deputeti Ervin Salianji në emisionin Opinion.

Video, sipas Alizotit, është bërë disa ditë pas datës 1 Qershor ku ai konfirmoi në Prokurori se kishte dubluar zërin e vëllait të ministrit të Brendshëm, Agron Xhafajt, dhe se do të paguhej 100 mijë Euro. Gjysmën tjetër të parave, konfirmoi Alizoti në Prokurori, do ta merrte Albert Veliu i njohur ndryshe si “Babalja”.

Fredi Alizoti dyshon se është filmuar nga Florenc Hoxha, ish-drejtor i Policisë Bashkiake, person që do të thirret për të dhënë sqarime dhe për të verifikuar rolin në video-pergjimin e dytë.

Të premten në Prokurori është thirrur për t’u pyetur deputeti Ervin Salianji. Ai është nën hetim nga Prokuroria për veprën penale të kallëzimit të rremë dhe do të japë sqarime si për audio-përgjimin, ashtu edhe per videon që transmetoi në Opinion.

Tv Klan