Në Tiranë prangosen 2 persona që kishin strehuar të riun

Vihet në pranga në Kosovë 27-vjeçari Faruk Fatih Ozer i kërkuar nga autoritetet në Ankara për mashtrim me 2 miliardë dollarë. Lajmi bëhet i ditur nga mediat turke, sipas të cilave, Ozeru u arrestua gjatë një operacioni të policisë kosovare ndihmuar edhe nga homologët e tyre turq. Shtypi turk shkruan se i riu kishte hyrë në territorin kosovar nga Shqipëria ku kërkohej prej ditësh.

Më herët u arrestuan edhe 2 persona në Tiranë nga Policia Shqiptare pasi kishin ndihmuar të riun turk. Sipas mediave turke që u referohen të dhënave nga uniformat blu në Shqipëri, u zhvillua një operacion tjetër për kapjen e 27-vjeçarit. Policia kishte marrë informacion se Ozer strehohej në një banesë në kryeqytet dhe gjatë aksionit policor nuk u arrit të prangosej, pasi në banesë u gjetën vetëm 2 personat që u arrestuan

Mashtrimi me 2 miliard dollarë në bursën e kriptomonedhave u zbulua disa ditë më parë kur rreth 391 mijë persona denoncuan rastin. Policia turke shpalli në kërkim drejtuesin e kompanisë Thodex Faruk Fatih Ozer, por ky i fundit u largua nga vendi duke zbritur në Aeroportin e Rinasit në 22 prill. 27-vjeçari e kishte krijuar kompaninë Thodez në tetor të vitit 2017 dhe në bursë ku tregtoheshin kriptomonedha kishin investuar 400 mijë persona.

Klan News