Si rezultat i kontrolleve të shtuara në dalje në PKK Durrës, bazuar dhe në analizën e riskut të bërë nga shërbimet e Policisë në PKK Durrës, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm, mjeti tip “Citroen”, me drejtues shtetasin italian G. A.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të mjetit, në pjesën fundore poshtë bagazhit, brenda gomës rezervë kanë konstatuar 2 paketime, brenda të cilave ndodheshin 2 kg lëndë narkotike marijuanë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit italian G. A., 50 vjeç, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale./tvklan.al