Është arrestuar në Spanjë 34 vjeçari i kërkuar për kultivim narkotikësh, Lutfi Xeka. Sipas policisë, i riu është dënuar me 4 vite burg nga Gjykata e Krujës pasi ai në bashkëpunim me 11 persona të tjerë ka kultivuar qindra bimë kanabisi. Pritet që Xeka të ekstradohet në Shqipëri.

“Finalizohet nga Policia e Spanjës, pas sigurimit të informacionit nga Policia e Shtetit, operacioni policor i koduar “Four”. I dënuar me 4 vjet burgim, si bashkautor i 3 rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, të kryera gjatë vitit 2019, vihet në pranga 34-vjeçari. Në vijim të operacioneve policore të njëpasnjëshme, me partnerët spanjollë, me objektiv lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat e Policisë së Shtetit kanë siguruar informacion për vendndodhjen e një shtetasi të dënuar me burgim, nga autoritetet në Shqipëri.

Ky informacion i shkëmbyer menjëherë me partnerët, nëpërmjet koordinimit të Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, ka mundësuar finalizimin në Spanjë, të operacionit policor të koduar “Four”. Gjatë operacionit u bënë të mundur lokalizimi, kapja dhe vënia në pranga, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, e shtetasit Lutfi Xeka, 34 vjeç. Gjykata e Krujës e ka dënuar këtë shtetas, me 4 vjet burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Shtetasi Lutfi Xeka, në bashkëpunim me 11 të tjerë, kanë kultivuar qindra bimë narkotike cannabis sativa. Veprimtaria kriminale e këtyre shtetasve është goditur nga Policia, në 3 raste gjatë vitit 2019. Vijon puna për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë./tvklan.al