Në Shqipëri kërkohej si porositës i rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës
Ky është momenti kur forcat speciale turke vendosin në pranga Dritan Rexhepin, një nga kriminelët më të kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe ajo italiane i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale që nga ajo e vrasjes me dashje, rrëmbim e deri tek trafiku ndërkombëtar i drogës.
Arrestimi i tij u bë në një lagje të Stambollit ku ai fshihej me një identitet të rremë.
Lajmin e bëri të ditur ministri i brendshëm turk, Ali Yerlikaya i cili përmes një postimi në rrjetet sociale theksoi se kreu i organizatës së drogës “Kompania Bello”, i kërkuar nga autoritetet shqiptare dhe italiane u arrestuar gjatë operacionit “Kartel” të organizuar nga autoritetet turke në një vilë luksoze në Stamboll.
Gjatë ndalimit atij iu gjetën armë, sasi të mëdha monetare, drogë dhe sende të tjera me vlerë.
Rexhepi ishte futur në Turqi nga Aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane të regjistruar në emër të Benjamin Omar Perez Garcia, ndërsa arrestimi i tij u bë i mundur falë shkëmbimit të informacioneve mes autoriteteve turke, italiane dhe atyre shqiptare.
Për Dritan Rexhepin Interpoli kishte lëshuar Kodin e Kuq, si një nga personat më të kërkuar ndërkombëtarisht, teksa në Shqipëri ai akuzohet për një sërë veprash të rënda penale, përfshi këtu vrasjen e policëve Arben Keqi dhe Durim Kasmi, si dhe porositjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës.
Nga Italia autoritet italiane ai kërkohej si kreu i një organizate të fuqishme që merrej me trafikun e kokainës nga vendet latine drejt Europës.
Tv Klan