Iu gjetën armë, drogë dhe sende me vlerë. Ishte në kërkim ndërkombëtar nga disa shtete

Forcat Speciale turke arrestojnë të shumëkërkuarin Dritan Rexhepi. Ai u prangos në Stamboll, në një kompleks vilash. Operacioni është kryer në orët e para të mëngjesit. Ky është momenti kur policia i vë prangat. Atij iu gjetën edhe armë, para dhe bizhuteri në një kasafortë dhe një sasi droge.

Pas shumë vitesh  në kërkim nga Interpoli, shërbimet e inteligjencës së Stambollit kishin arritur të zbulonin vendndodhjen e Rexhepit.

Ministri i Brendshëm i Turqisë ka deklaruar se ai ka hyrë në aeroportin e Stambollit me pasaportë kolumbiane të regjistruar në emrin e Benjamin Omar Perez Garcia. Kapja e tij u bë falë shkëmbimit të informacioneve mes autoriteteve policore turke, italiane dhe atyre shqiptare.

Dritan Rexhepi kërkohej nga 5 shtete: Shqipëri, belgjikë, Holandë, Itali dhe së fundmi nga Ekuadori.

Aktiviteti kryesor i tij kriminal ishte trafiku ndërkombëtar i drogës. Megjithatë në këto shtete ai akuzohet për një sërë veprash të rënda penale, si trafik droge, vrasje apo dhe pengmarrje si dhe disa herë është arratisur nga burgu.

Për kapjen e Rexhepit reagoi edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili në një postim publikon dhe aksionin e policisë së Stambollit. Ai tha se arrestimi i personit më të kërkuar nga drejtësia shqiptare Dritan Rexhepi, falë bashkëpunimit të shkëlqyer të një sërë agjencish ligjzbatuese nga disa vende partnere, është një rezultat i rëndësishëm.

Pas arrestimit të 43-vjeçarit, Policia Shqiptare njofton se kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt vendit tonë.

Klan News