35-vjeçari lëvizte i armatosur në kryeqytet

Në një operacion të koduar “Gjurmimi”, Policia e Tiranës vuri në pranga Ilir Selmanin, një person i skeduar me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal. 35-vjeçari, që shihni në këtë foto, ishte në kërkim prej 8 muajsh, si një nga personat e përfshirë në vrasjen e ish-policit Santiago Malko, në Gusht të vitit të kaluar, në rrugën “Xhanfize Keko” në kryeqytet. Ndaj tij, Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg.

Në momentin e arrestimit në rrugën “Endri Keko”, Selmani mbante me vete edhe një pistoletë. Pas sekuestrimit të armës nga policia, ajo rezultoi e mbushur me një plumb, gati për qitje. Selmani akuzohet për disa vepra penale, si vrasja e kryer me paramendim, grup i strukturuar kriminal, armëmbajtje pa leje dhe vjedhje.

Selmani është pikasur nga kamerat e sigurisë që pas ngjarjes ka mbledhur bishtat e cigareve në vendin ku kishte qëndruar Blendi Teta. Për vrasjen e ish-policit vijojnë të jenë në kërkim edhe 7 persona të tjerë mes tyre edhe vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka.

I arrestuar qëndron edhe Blendi Teta që akuzohet për moskallëzim krimi. Pas arrestimit të 39-vjeçarit Teta, policia arriti të identifikojë personat e dyshuar për vrasjen e Malkos. Hetuesit kanë dyshime se vrasja ka ndodhur për shkak të një konflikti të vjetër të viktimës me autorët. Ish-polici u ekzekutua me breshëri automatiku teksa lëvizte me makinë në zonën e Xhamllikut në kryeqytet.

Tv Klan