Arrestohet ish-juristi i Hipotekës dhe 3 persona për truallin në bregdet

Për te legalizuar një truall prej 2 mijë metrash në bregdetin e Durrësit, kishte mjaftuar një modifikim i vogël në kompjuter me hartat. Por manipulimi, megjithëse ishte bërë nga një specialist i Photoshop-it, është zbuluar nga policia. Si pronarët e rremë, ashtu edhe ish-juristi i Kadastrës së Durrësit, i quajtur Mikel Zaho u arrestuan nga policia mesditën e së mërkurës. 

Tre të arrestuarit e tjerë janë përfituesit e sipërfaqeve truall dhe të një ndërtese në Plepa, në zonën e plazhit. Në pranga kanë përfunduar edhe Girson Aliko, Ilias Fisheku dhe Rakip Haxhiu, të tre banues në Durrës ndërsa ky i fundit është në arrest shtëpie.

Përmes dokumenteve të falsifikuara këta persona kanë aplikuar dhe regjistruar me ndihmën e ish-juristit të Hipotekës truallin prej 2 mijë metër katror dhe ndërtesën që ndodhej aty. Pasuria u regjistrua në mënyrë fiktive në kadastër në emër të Erion Alikos dhe Rakip Haxhiut, megjithëse harta ishte modifikuar me Photoshop.

Operacioni i policisë u zhvillua pikërisht në ditën kur hipoteka e Durrësit u zhvendos në zonën e Rinasit në Tiranë. Tashmë në qytet është funksionale vetëm zyra e informacionit për të ndihmuar qytetarët.

Tv Klan