Tropojë | Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, efektivët e Komisariatit të Policisë Tropojë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, pas lokalizimit të vendndodhjes, organizuan punën dhe finalizuan me sukses operacion policor të koduar “Raja”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve: Nikë Markaj, 45 vjeç dhe dy djemtë e tij, Gjon Markaj, 23 vjeç dhe Aleks Markaj 22 vjeç, banues në fshatin Tetaj, Tropojë.

Policia thotë se “këta shtetas ishin shpallur në kërkim, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tropojë ka dërguar urdhër për ekzekutimin e vendimit penal të datës 04.08.2021, të Gjykatës së Rrethit Tropojë, e cila ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje“, kryer në bashkëpunim, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Rrjedhja e ngjarjes: Më datë 30.07.2021, në aksin rrugor Lekbibaj-Fierzë, në afërsi të vendit të quajtur “Shkëmbi i Rajës”, këta shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me thikë shtetasin P. Gj., 44 vjeç, banues në Fierzë. Gjithashtu, në bashkëpunim më njëri-tjetrin i kanë dëmtuar automjetin këtij shtetasi./tvklan.al