Pesë muaj pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Mamurras ku humbën jetën Naim Tafa, 35 vjeç dhe u plagosen tre persona të tjerë, Policia e Tiranës arreston një prej autorëve të shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për Tom Mamlin, 34 vjeç.

Në kërkim vijon të mbeten bashkëpunëtorët e tij Paulin Mamli dhe Gentjan Tafa. Në atë kohë u arrestuan Enrik Mamli, Taulant Bebri dhe Dorian Mamli.

Ngjarja ndodhi më 23 shtator dhe një ditë më pas burime policore thanë se vëllezërit Tom, Paulin dhe Enrik Mamli kanë rrahur dhe goditur me sende të forta, kushëririn e tyre Dorian Mamli.

Ky i fundit kishte ndërhyrë për të negociuar konfliktin që kishte Enrik Mamli me Edmond Tafën, djalin e xhaxhait të viktimës Naim Tafa.

Pas këtij sherri, pranë stacionit të trenit në Mamurras, makina e vëllezërve Mamli është goditur nga pas nga makina ku lëviznin 3 vëllezërit Tafa.

Kaq ka mjaftuar dhe dy pjestarët e fiseve kanë filluar të qëllojnë me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit. Si pasojë ka mbetur i vdekur Naim Tafa 35 vjeç. Ndërsa janë plagosur Altin Çoku, Idriz Tafa, Besim Xhetani.

Tv Klan