Një tjetër pastruese është vënë në pranga nga policia e Tiranës. Klan News raporton se ajo quhet Elida Kodra. Policia thotë se ajo ka vjedhur para në banesën ku ka qenë e punësuar.

Sipas të dhënave, pastruesja ka marrë 2000 Euro, 300 Dollarë dhe  35 mijë Lekë në banesën e një qytetari ku ajo supozohej t’i mirëmbante shtëpinë.

“Nga provat e siguruara gjatë hetimit ka rezultuar se shtetasja E. K., e cila ka qenë e punësuar për mirëmbajtjen e banesës së shtetasit Z. E., në rrugën “Vaso Pasha”, gjatë javës së fundit ka vjedhur në këtë banesë, 2000 euro, 300 dollarë dhe 35 000 lekë të rinj”, njoftoi policia.

Gjatë kontrollit të çantës së Kodrës u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 840 euro, 600 dollarë dhe 40 900 lekë të rinj. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Ky nuk është rasti i parë i arrestimit të pastrueseve që punësohen për të mirëmbajtur banesat. Më herët është vënë në pranga Rozeta Dobi dhe djali i saj me akuzën se vodhën 120 mijë Euro nga shtëpia e Alda Klosit.

Pas hetimeve u zbulua se nënë e bir kishin të fshehura në shtëpi edhe 400 mijë Euro të tjera. Në lidhje me këtë rast është vënë në pranga edhe pronarja e shtëpisë Alda Klosi për fshehje të pasurisë, pastrim parash dhe deklarim të rremë para oficerit të policisë./tvklan.al