Njëri nga personat e akuzuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit më datë 1 Shkurt në qytetin e Fierit, është arrestuar nga policia.

Burime konfidenciale për tvklan.al thonë se ai është Albert Zaja 37 vjeç, i cili është kapur pasditen e së dielës në fshatin Larushkë në zonën e Niklës në Fushë-Krujë.

Mësohet se policia ka zhvilluar një aksion pas marrjes së informacioneve në rrugë operative se ku fshihej i dyshuari. Gjatë aksionit ku morën pjesë forcat speciale RENEA, u finalizua me arrestimin e Albert Zajës.

Këto janë edhe pamjet pas arrestimit të Albert Zajës në banesën ku fshihej. Ai ka qënë i armatosur dhe tentoi të fshihte pistoletën në baltë pasi pa forcat policore.

Ky është një nga 4 personat e akuzuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit, i cili u ekzekutua më 1 Shkurt në Fier në një atentat të mirëorganizuar. Të akuzuarit e tjerë zyrtarisht nga policia dhe prokuroria janë Elmir Tufa, Elson Xheçuka dhe Roland Cara.

Foto: Viktima Shkelzen Kastrati

Të gjithë janë në kërkim, teksa njëri prej tyre, Elmir Tufa, pak javë më parë dha një intervistë nga arratia për emisionin Uniko nga Spartak Koka, ku mohonte akuzat e policisë për përfshirje në vrasje, dhe deklaroi se ditën e ngjarjes ka qenë në Krujë dhe për këtë pretendoi se ka pamje filmike.

Foto: Në kuadrat të kuq viktima Shkëlzen Kastrati dhe njëri nga të akuzuarit, Elmir Tufa

Shkëlzen Kastrati u qëllua me breshëri automatiku brenda makinës së tij Mercedes, ndërsa autorët u larguan me një automjet Range Rover, të cilin më pas e braktisën dhe e dogjën.

Tvklan.al mëson nga burime hetimore se në vrasje u përdorën edhe 2 automjete të tjera, përveç makinës Range Rover. Njëra nga këto makina ishte tip Audi, që mendohet si përket pikërisht Albert Zajës, i cili u arrestua në Nikël të Fushë-Krujës.

Policia e Shtetit: 37-vjeçari tentoi të fshihte armën kur u rrethua nga RENEA

Policia e Shtetit ka dhënë informacion zyrtar për arrestimin e Albert Zajës, i dyshuar si vrasës i Shkëlzen Kastratit më 1 Shkurt në qytetin e Fierit.

37-vjeçari Albert Zaja u arrestua në Fushë-Krujë në një aksion të zhvilluar nga RENEA. Atë moment ai ka qenë i armatosur.

“Në kuadër të operacionit, në fshatin Larushk  të Krujës, Forcat Speciale RENEA bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e  shtetasit Albert Zaja. 37-vjeçari porsa ka parë se është rrethuar nga Policia ka tentuar të fshehë në baltë një armë zjarri pistoletë dhe ka tentuar të largohet, por është kapur dhe prangosur nga Policia”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Ndaj Albert Zajës është vendosur nga Gjykata e Fierit arrest në burg në mungesë për veprën penale të vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim. Operacioni i policisë  vijon për kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.  /tvklan.al