Policia e Shkodrës ka arrestuar njërin prej vëllezërve Smakaj, Stjuartin, si i dyshuar i përfshirë në vrasjen e Gledis Krajës mbrëmjen e së hënës.

Ai ishte shpallur në kërkim gjatë natës pasi grupi hetimor zbuloi se Stjuarti dhe vëllai i tij Sebastiani ishin personat që hapën zjarr me breshëri. Nga të shtënat mbeti i vrarë 23-vjeçari Kraja, i cili ndërroi jetë në spital.

I riu u vra aksidentalisht, pasi ishte mik i ngushtë me dy vëllezërit Sebastian dhe Stjuart Smakaj. Nga hetimet ka rezultuar se vëllezërit ishin konfliktuar me një person tjetër për parkimin e makinës. Pasi u kthyen të armatosur, hapën zjarr me breshëri por një plumb kapi në qafë shokun e tyre duke rezultuar fatal.

Policia ka sekuestruar edhe armën e zjarrit të modifikuar që u përdor në krim.Në cilësinë e provës materiale në vendngjarje u sekuestruan 18 gëzhoja të qitura nga kjo armë. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Vrasja me dashje, e kryer në bashkëpunim” dhe  “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”. /tvklan.al