34-vjeçari Erion Alibej dyshohet se është organizatori dhe porositësi i dy vrasjeve të ndodhur në Korrik të këtij viti në qytetin e Elbasanit. Këtë të premte, policia ekzekutoi masën arrest me burg ndaj 34-vjeçarit, i cili akuzohet për vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim. Alibej, sipas policisë, qëndron pas ekzekutimit të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt.

“Në vijim të operacionit policor të koduar “Shkumbini”, u bë ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg”, lëshuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, bazuar në provat e grumbulluara gjatë hetimit nga strukturat hetimore, për shtetasin E. A., 34 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim. Nga hetimet e kryera rezultoi se ky shtetas është organizatori dhe porositësi i dy vrasjeve të ndodhura më datë 20 korrik në qytetin e Elbasanit, në lagjen “28 Nëntori”, ku u vra me armë zjarri shtetasi Emiljano Ramazani dhe i vrasjes së ndodhur më datë  29.07.2020, në afërsi të varrezave të qytetit, ku mbeti i vrarë me armë të ftohtë shtetasi Regis Runaj”, thuhet në njoftimin e policisë.

Erion Alibej

Për vrasjen e Ramazanit dhe Runajt janë arrestuar më herët edhe 4 persona të tjerë. Ndërkohë, autoritetet thonë se po hetohet për përfshirjen e 34-vjeçarit Alibej në ngjarje të tjera të rënda kriminale të ndodhura kohët e fundit në Elbasan.

Erion Alibej është vëllai i Endrit Alibej, i ekzekutuar më armë zjarri më 29 Dhjetor të 2018-s, në Elbasan. Në atentatin në fjalë të vrarë mbetën edhe dy persona të tjerë, xhaxhai i vëllezërve Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Durunay./tvklan.al