Një 38-vjeçar shqiptar u arrestua nga policia në Spanjë, pasi ishte në kërkim për vrasje prej 11 vitesh.

Në pranga është vënë Florenc Nishku i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen me thikë të një tjetër shqiptari të identifikuar si Spiro Binjaku, 25-vjeç.

Ngjarja ndodhi në 4 shtator 2007 në parkimin e një restoranti në një qytezë të Breshias.

Sipas karabinierëve krimi ndodhi pas një përplasjeje mes shqiptarëve të përfshirë në trafikun e prostitucionit.

Në atë përplasje Nishku kishte plagosur edhe një tjetër person. Pas vrasjes, shqiptari me origjinë nga Elbasani kishte ndryshuar emrin dhe jetonte mes Spanjës dhe Holandës falë edhe mbulimit që i bënin miqtë e tij.

Nishku ishte në listën e më të kërkuarve ndërsa u ndalua teksa udhëtonte në makinën e vëllait të tij në Tarragona të Spanjës.

Ai pritet të ekstradohet në Itali ku do të vuajë dënimin.

Tv Klan