I dënuari me burgim të përjetshëm për 3 vrasje është arrestuar pas 23 vitesh në arrati. Bardh Lula (Luli) 49 vjeç u kap në Itali ku jetonte me identitet të falsifikuar si shtetas boshnjak.

Bardh Lula u kap gjatë operacionit të koduar “Wanted 3” dhe do të ekstradohet në Shqipëri. 49-vjeçari ka qenë person i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi në vitin 1996 Gjykata e Lezhës e ka dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje në rrethana cilësuese.

Më 12 Qershor 1993 në vendin Kroi i Drenicës, ai ka vrarë me armë gjahu tre persona; Nikoll Luka, Mark Luka dhe Pal Luka. Pas krimit ai u largua në drejtim të paditur. Ngjarja në atë kohë ndodhi gjatë një konflikti për motive pronësie. Vijojnë procedurat për ekstradimin drejt Shqipërisë të 49-vjeçarit të dënuar me burgim të përjetshëm. /tvklan.al